“Pena e Shkodrës”, ka shënuar një dekadë botimi me promovimin e numrit të 10-të jubilar. Aktiviteti u zhvillua në mjediset e Shoqatës së Shkrimtarëve Shkodër, duke mbledhur autorë, studiues dhe dashamirës të letërsisë.

Numri i 10-të i antologjisë përfshin 50 autorë, duke reflektuar një panoramë të gjerë të krijimtarisë bashkëkohore. Sipas kryetarit të Shoqatës së Shkrimtarëve Shkodër, Zija Vukaj, “Pena e Shkodrës” i ka kapërcyer kufijtë lokalë, duke u kthyer në një hapësirë domethënëse për letërsinë shqipe.

Përtej vlerës letrare, kjo antologji përbën edhe një pasuri studimore, e cila mund t’u shërbejë studiuesve të letërsisë për të analizuar krijimtarinë e autorëve bashkëkohorë dhe prirjet letrare të kohës.

“Pena e Shkodrës” i ka fillesat e saj rreth dhjetë vite më parë, kur shkrimtarët Skënder Temali dhe Zija Vukaj publikuan numrin e parë të këtij botimi kulturor. Që prej asaj kohe, antologjia ka vijuar të ruajë një rol të qëndrueshëm në jetën letrare të qytetit dhe më gjerë.