Në Hajmel, fshatin që ndodhet 19 kilometra larg Shkodrës dhe që i përket Bashkisë Vau Dejës, prej vitit 2018 Famullia e zonës vijon një traditë të veçantë kulturore dhe fetare me inskenimin e Betlehemit dhe lindjes së Jezusit. Çdo vit, rreth 250 vullnetarë shndërrohen në “aktorë”, duke interpretuar personazhet biblike në një skenë teatrale në qiell të hapur, përballë mijëra vizitorëve që mbërrijnë nga zona të ndryshme.

Kjo ngjarje është kthyer tashmë në një pikë referimi për festat e fundvitit, duke sjellë jo vetëm emocion dhe reflektim shpirtëror, por edhe një atmosferë bashkimi mes komunitetit. Sipas organizatorëve, mesazhi kryesor që përcillet përmes këtij inskenimi është ai i paqes, solidaritetit dhe bashkimit mes njerëzve, përtej dallimeve.

Inskenimi i Betlehemit të gjallë në Hajmel do të vijojë edhe më 2 janar 2026, duke u dhënë mundësinë edhe vizitorëve të tjerë të përjetojnë nga afër këtë ngjarje unike që ndërthur besimin, artin dhe traditën.