Pas një rikonstruksioni të plotë, Kinema “Republika” u rihap zyrtarisht duke shënuar një nga rikthimet më të shumëpritura kulturore për qytetin e Shkodrës. Hapja u shoqërua me interes të jashtëzakonshëm nga publiku, ku në premierën e parë u krijuan radhë qytetarësh të çdo grupmoshe, një dëshmi e qartë e lidhjes së fortë që Shkodra ka me kinemanë dhe artin e filmit.
Atmosfera festive dhe entuziazmi i publikut treguan se Kinema “Republika” mbetet një pikë referimi kulturore për qytetin. Të pranishmit e vlerësuan rikthimin e saj si një nevojë të munguar prej kohësh, duke e cilësuar kinemanë si një hapësirë që bashkon breza dhe rikthen përvojën e ekranit të madh.
Në këtë ngjarje morën pjesë edhe përfaqësues të institucioneve kulturore. Drejtoresha e Kulturës pranë Bashkisë Shkodër, Sara Smaja, theksoi rëndësinë që ka rihapja e kinemasë për jetën kulturore të qytetit, ndërsa drejtuesja e Kinema “Republika”, Egena Zymeri, u shpreh se ky rikthim synon të sjellë jo vetëm filma, por edhe aktivitete që forcojnë kulturën kinematografike në Shkodër.
Rikthimi i Kinema “Republika” shënon jo vetëm rifillimin e shfaqjeve të filmave në ekranin e madh, por edhe ringjalljen e një tradite kulturore të rëndësishme për Shkodrën, duke i dhënë qytetit një tjetër hapësirë të gjallë arti dhe bashkëjetese kulturore.
