E ftuar në emisionin festiv “Simfoni Festash” në RTSH Shkodra, këngëtarja dhe drejtuesja e QKF “Kujtim Alija”, Orjeta Kelaj, ndau një rrëfim të sinqertë për rrugëtimin e saj artistik, përgjegjësinë profesionale dhe arritjet e një viti të mbushur me emocione.
Ajo u ndal te arritja historike e këtij viti në Festivalin Mbarëkombëtar të Këngës për Fëmijë, ku fituesja përfaqësoi Shqipërinë në Junior Eurovision, duke e cilësuar këtë si një moment krenarie jo vetëm për Shkodrën, por për gjithë vendin. Si drejtuese e QKF “Kujtim Alija”, tashmë në vitin e tretë, Orjeta Kelaj theksoi se ndjen një përgjegjësi gjithnjë e më të madhe për të bërë më të mirën në punën me talentet e vegjël.
Këngëtarja u shpreh se Teatri “Migjeni” mbetet një skenë e veçantë, ku emocionet janë gjithmonë të forta dhe ku, siç tha ajo, “të dridhen këmbët” sa herë ngjitesh përballë publikut. Pjesëmarrjen në festivalin “Luleborë” e konsideroi një nga përvojat më të veçanta të këtij viti, duke vlerësuar atmosferën dhe energjinë artistike që ofron ky aktivitet.

Lidhja e Orjeta Kelajt me muzikën ka nisur që në fëmijërinë e saj, një rrugë që, sipas saj, nuk është ndërprerë asnjëherë. Ndër këngët që ka më për zemër, ajo veçoi “Djali i kumbarës” të mjeshtrit Zef Çoba, si një prej këngëve të preferuara që e lidh fort me traditën.
Gjatë bisedës, ajo foli edhe për suksesin që po përjeton shfaqja “Matilda”, realizuar nga fëmijët e QKF “Kujtim Alija”, duke theksuar se kjo qendër është e vetmja në të gjithë vendin që ofron 44 kurse jashtëshkollore për fëmijët, një kontribut i rëndësishëm për edukimin artistik dhe kulturor.

Në një plan më personal, Orjeta Kelaj tregoi se prej vitesh nuk e kalon Vitin e Ri me familjen, për shkak të angazhimeve në mbrëmje muzikore live, një sakrificë që e konsideron pjesë të pashmangshme të profesionit të saj.
