I ftuar në emisionin festiv “Simfoni Festash” në RTSH Shkodra, Kastriot Faci solli një rrëfim të pasur me përvoja jetësore, arritje artistike dhe momente sfiduese, duke e cilësuar vitin 2025 si më të suksesshmin e jetës së tij deri më tani.
Në studio, Faci u ndal te 20-vjetori i themelimit të bandës muzikore “The Door”, një projekt unik i dedikuar personave me aftësi të kufizuar, që prej dy dekadash ka ndërtuar ura komunikimi përmes muzikës dhe ka promovuar përfshirjen sociale. Ai foli edhe për vlerësimin “Nderi i Qarkut Shkodër”, të akorduar nga Këshilli i Qarkut, si një nga momentet më domethënëse të këtij viti.

Një tjetër përvojë e veçantë ishte pjesëmarrja e grupit në një festival ndërkombëtar të bandave muzikore për persona me aftësi të kufizuar në Norvegji, ku “The Door” përfaqësoi denjësisht Shqipërinë. Gjatë rrëfimit, Faci ndau edhe një episod të pazakontë dhe emocional, duke kujtuar incidentin ajror gjatë fluturimit nga Tirana në Oslo, një moment që ka lënë gjurmë tek gjithë grupi.
Përtej muzikës, Kastriot Faci foli edhe për pasionin e tij për natyrën dhe udhëtimet. Çertifikimi si udhërrëfyes turistik ishte një nga arritjet personale të vitit, ndërsa ngjitja në majën e Moravës u shndërrua në një nga përjetimet më të bukura. Ai rrëfeu gjithashtu për peripetitë në male, përballjet me kafshë të egra dhe sfidat që shoqërojnë aventurat në natyrë.

Biseda në “Simfoni Festash” solli portretin e një njeriu aktiv, të përkushtuar dhe shumëplanësh, që ndërthur artin, humanizmin dhe eksplorimin. Rrëfimi i Kastriot Facit u kthye në një dëshmi frymëzuese për fuqinë e pasionit dhe vullnetit për të ndërtuar histori suksesi, jo vetëm personale, por edhe me ndikim shoqëror.
