Këngëtari shkodran Glerdit Turmetaj, fitues i edicionit të 10-të të Festivalit “Luleborë”, ishte i ftuar në emisionin festiv “Simfoni Festash” në RTSH Shkodra, ku ndau me publikun rrugëtimin e tij artistik, emocionet e fitores dhe planet për të ardhmen.

Turmetaj tregoi se ka marrë pjesë gjashtë herë në festivalin “Luleborë”, ndërsa dy vitet e fundit kishte munguar. Rikthimi në edicionin jubilar rezultoi vendimtar, pasi u kurorëzua për herë të parë fitues me këngën “Ta dish”, një sukses që, sipas tij, e kishte parandjerë që në momentin e interpretimit në skenë.

Një nga momentet më të veçanta të këtij viti për këngëtarin ishte dueti me sopranon e madhe Inva Mula, me të njëjtën këngë, gjatë koncertit “Voyage” në Teatrin “Migjeni”. Turmetaj e cilësoi këtë bashkëpunim si një nder dhe përjetim të rrallë artistik, që do të mbetet i paharruar në karrierën e tij.

Kënga “Ta dish” i është dedikuar Shkodrës, qytetit ku Glerditi është rritur duke dëgjuar këngë shkodrane, të cilat kanë ndikuar fuqishëm në formimin e tij muzikor. Ai u shpreh se një nga synimet e tij është që një ditë të prekë edhe skenën e madhe të Festivalit të Këngës, duke përfaqësuar me dinjitet qytetin dhe stilin e tij artistik.

Në bisedë, këngëtari ndau edhe një episod personal, duke kujtuar xhaxhain e tij, i cili kishte krijuar një ninullë që Glerditi e ka kthyer më pas në një këngë të papublikuar për të birin. Ai foli gjithashtu për netët me muzikë live në rrugët e qytetit, duke theksuar se shpesh janë turistët ata që krijojnë më shumë atmosferë sesa vetë vendasit.

Në fund të bisedës, urimi i Glerdit Turmetajt për vitin 2026 ishte që të ketë më shumë hapësira dhe mbështetje për artistët e rinj shkodranë, në mënyrë që talentet e reja të kenë mundësi të shfaqen dhe të rriten artistikisht.

Paraqitja e tij në “Simfoni Festash” solli një rrëfim të ndjerë për muzikën, qytetin dhe ëndrrat, duke e konfirmuar Glerdit Turmetajn si një nga zërat premtues të skenës shkodrane.