Aktorja dhe ish-drejtoresha e Teatrit “Migjeni”, Rita Gjeka, ishte pjesë e një bisede të sinqertë dhe emocionale në emisionin festiv “Simfoni Festash” në RTSH Shkodra, ku ndau me publikun histori personale dhe profesionale që kanë shënuar jetën e saj.
Në studio, Rita Gjeka foli me krenari për vajzën e saj Silvian, e cila jeton dhe punon në Itali, duke e cilësuar si gjithçka për të. Me të njëjtin emocion, ajo shprehu dashurinë e pakushtëzuar për Teatrin “Migjeni”, institucionin me të cilin ka lidhur një pjesë të rëndësishme të jetës së saj artistike dhe drejtuese.
Daljen në pension, Gjeka e konsideron si një moment lirie, pas një periudhe intensive përgjegjësish, duke treguar se gjatë kohës si drejtuese, telefoni i saj ka qenë gjithmonë i hapur, pa pushim. Ajo foli edhe për suksesin e shfaqjes “Vizita” të regjisorit Davide Iodice dhe turnetë që pati në Itali, duke theksuar se gjuha shqipe i ka dhënë një forcë dhe sukses të veçantë kësaj vepre kudo ku është shfaqur.

Në një moment emocionues, aktorja kujtoi bashkëshortin e ndjerë Gjorgjin, duke ndarë një histori prekëse kur ai kishte ndjekur një shfaqje për më shumë se dy orë, vetëm pak kohë pas një ndërhyrjeje kirurgjikale. Ajo nuk e fshehu as pengun që në shfaqjen e fundit “Vizita” në Shkodër, energjia elektrike u ndërpre disa herë, duke e cilësuar këtë si një zhgënjim për artistët dhe publikun.
Rita Gjeka pranoi publikisht se ka lënë duhanin, një vendim i ndërgjegjshëm për shëndetin, ndërsa shtoi se falje i kërkon vetëm familjes së saj për kohën që nuk ia ka kushtuar sa duhet. Me sinqeritetin që e karakterizon, ajo u shpreh: “Rita Gjeka nuk fshihet me gomë, ta marrin vesh të gjithë”.
Gjatë bisedës, aktorja foli edhe për lidhjen e fortë me mikeshat e saj Rajmonda Bulku, Zamira Kita dhe Elvira Diamanti, për udhëtimet, si dhe për takimin emocionues me ikonën, Tinka Kurti, në 93-vjetorin e saj. Ajo rikujtoi gjithashtu aktivitetin “Koliqiana”, si një përpjekje për të riangazhuar të rinjtë në jetën kulturore.

Biseda në studio u shoqërua edhe me një moment personal nga moderatorja Arjola Zadrima, e cila ndau lajmin e ardhjes në jetë të mbesës së saj, Vivian, duke i dhënë emisionit një dimension edhe më njerëzor.
Rrëfimi i Rita Gjekës në “Simfoni Festash” u kthye në një dëshmi force, ndershmërie dhe dashurie për artin, jetën dhe njerëzit, duke e bërë këtë episod një nga më të ndjerët e programit festiv të RTSH Shkodra.
