Ka nisur në RTSH Shkodra emisioni festiv i fundvitit “Simfoni Festash”, ndërsa e ftuara e parë në studio ishte artistja Klodiana Vata, një nga zërat e njohur të muzikës shqiptare, e rikthyer pas një kohe shkëputjeje në Shkodër. Përballë moderatorëve Marjo Gjini, Arjola Zadrima dhe Blerta Kopliku, këngëtarja ndau një bisedë të hapur dhe emocionale, duke prekur disa nga momentet më të rëndësishme të jetës personale dhe artistike.
Gjatë intervistës, Klodiana Vata foli për rikthimin e saj në Shqipëri dhe pritjen e ngrohtë që ka marrë nga publiku, veçanërisht në Shkodër, ku u shpreh se është ndjerë e mirëpritur, sidomos në ambientet e Teatrit “Migjeni”. Ajo ndau edhe përvojat e saj profesionale, duke rrëfyer marrëdhënien e veçantë me radion dhe faktin se shpesh është përballur me reagime spontane nga fansat, të cilët e kanë njohur dhe i kanë kërkuar foto.

Artistja u ndal edhe te pjesëmarrja e saj në Festivalin e Këngës disa vite më parë, një eksperiencë që, sipas saj, ka lënë gjurmë në rrugëtimin e saj muzikor. Viti 2025, për Klodiana Vatën, ka qenë një vit me ndryshime të mëdha, mes Kanadasë, SHBA-së dhe Shqipërisë, duke sjellë reflektime të forta personale dhe profesionale.
Në një rrëfim të sinqertë, ajo e cilësoi si ngjarjen më tronditëse ndarjen nga jeta të kolegut dhe mikut të saj, Shpat Kasapi, ndërsa pranoi se aktualisht nuk ndihet e dashuruar me dikë. Fundvitin, Klodiana Vata tregoi se e ka kaluar kryesisht në punë, duke kënduar dhe duke u angazhuar në projekte artistike.

Emisioni “Simfoni Festash” u çel kështu me një bisedë njerëzore dhe reflektuese, duke vendosur tonin e një programi që synon të sjellë histori reale, emocione dhe energji pozitive për publikun, në prag të ndërrimit të viteve.
