Shërbimi psikologjik i ofruar në qendrat shëndetësore të Shkodrës është kthyer në një mbështetje të rëndësishme për qytetarët, me një numër gjithnjë e në rritje personash që kërkojnë ndihmë për përballimin e vështirësive emocionale. Ky shërbim ofrohet prej dy vitesh e gjysmë në të gjitha qendrat shëndetësore të qytetit.
Punonjësi social Suad Arilla shpjegon se shërbimi mbulon një gamë të gjerë nevojash psiko-sociale, duke u ardhur në ndihmë individëve që përballen me trauma, stres, ankth apo vështirësi të tjera emocionale.
Kërkesa për këtë shërbim ka ardhur kryesisht nga persona që vuajnë nga lëndime fizike, të cilat kanë shkaktuar edhe trauma psikologjike. Gjatë këtij viti vihet re një rritje e ndërgjegjësimit të qytetarëve për rëndësinë e mbështetjes profesionale në shëndetin mendor.
Shërbimi psikologjik në qendrat shëndetësore të Shkodrës mbetet një hallkë kyçe për forcimin e mirëqenies individuale dhe ndërtimin e një shoqërie më të shëndetshme.
