Një atmosferë festive, e mbushur me këngë dhe humor, u krijua në Teatrin Migjeni gjatë shfaqjes “Kartolinën ta dërgova”, organizuar në kuadër të aktiviteteve të fundvitit nga Bashkia Shkodër. Publiku shkodran përjetoi një mbrëmje argëtuese, ku muzika, batutat dhe interpretimet skenike u ndërthurën për të sjellë gëzim dhe të qeshura në sallë.
Në këtë shfaqje u ngjitën në skenë këngëtarë dhe artistë të njohur, si dhe talente të reja, të cilët sollën një program të larmishëm me këngë festive dhe numra humori. Interpretimet u shoqëruan nga orkestra nën drejtimin muzikor të Ilir Zogës, ndërsa regjia e shfaqjes u realizua nga Gerti Palali.
“Kartolinën ta dërgova” u mirëprit nga publiku me duartrokitje të shumta, duke u kthyer në një nga mbrëmjet më të dashura festive në skenën e Teatrit “Migjeni”.
