Vllaznia vijon krizën e rezultateve, duke mos gjetur fitoren prej 6 javësh radhazi, ndërsa diferenca me kreun e renditjes është rritur në 7 pikë. Ajo që shqetëson më së shumti kampin kuqeblu është reparti i mbrojtjes, i cili në 17 javë kampionat ka pësuar më shumë gola se rivalët direkt për titull.
Ish-mesfushori Altin Xhahysa thekson nevojën për ndërhyrje në merkaton e dimrit, në mënyrë që të përforcohen repartet problematike dhe të rikthehet ekuilibri në lojë.
Në javën e 18-të të Superiores, Vllaznia do të presë Flamurtarin më 24 dhjetor, në orën 16:30, në stadiumin “Loro Boriçi”. Pas kësaj sfide, kampionati do të ndërpritet deri më 14 janar, pauzë që pritet të shërbejë edhe për reflektim dhe riorganizim në kampin shkodran.
