Nga Qamil Gjyrezi

Kënga shqiptare ka filluar të fitojë kuptime dhe pëlqime edhe nga dëgjues të huaj, komentues në rrjetet sociale dhe specialistë të muzikës. Mendoj dhe besoj se kënga “Nan” do të prezantohet në Eurovision 2026 në Vjenë, madje edhe si fituese e këtij evenimenti europian. Kultura shqiptare: muzika, piktura dhe letërsia do t’i paraprijnë edhe integrimit në Bashkimin Europian.

Ndryshimi i paradigmës muzikore filloi në Eurovision 2012 me Rona Nishliun dhe këngën “Suus”. Ndoshta ka ardhur momenti që Shqipëria, me këngën fituese të Festivalit të 64-t të Këngës, të triumfojë edhe në evenimentet europiane.

Këngëtari Alis Kallaçi, me këngën “Nan”, ka rrëmbyer çmimin e parë të Festivalit të 64-t të Këngës, duke fituar zemrat e publikut dhe pikët e jurisë. Ky çmim i siguron Alis mundësinë për të përfaqësuar Shqipërinë në Eurovision 2026, i cili këtë vit do të zhvillohet në Vjenë, Austri.

Performanca e Alisit ishte shumë moderne, me vokal të shkëlqyer; teksti, ritmi, melodia dhe orkestracioni transmetonin kujtesë dhe mesazhe optimiste, që do ta përfaqësojnë denjësisht Shqipërinë në Eurovision 2026. Interpretimi i tij u veçua për potencën vokale të jashtëzakonshme, stilin unik dhe mesazhin universal të dashurisë, duke e bërë këngën “Nan” të prekë publikun në mënyrë të veçantë. Emocioni dhe energjia që Alis transmetoi në skenë krijuan një moment të paharrueshëm të natës finale, i shoqëruar me ovacione dhe duartrokitje të gjata.

Ky çmim vjen pas prezantimit shumë të mirë të Alisit në “X Factor Albania 5” (2024). Ai përkon gjithashtu me 65-vjetorin e Shkollës Artistike “Prenkë Jakova” në Shkodër. Kjo shkollë, gjatë 65 viteve të saj, ka nxjerrë instrumentistë dhe këngëtarë që kanë konkurruar me dinjitet jo vetëm në aktivitete lokale dhe kombëtare, por edhe jashtë vendit.

Alis ka studiuar piano në këtë shkollë me pedagogen e nderuar Rudina Rrustja Jakova, e cila me pasion ka formuar shumë pianistë që e nderojnë këtë institucion artistik me vlera. Pas përfundimit të diplomës në piano, Alis vendosi të vazhdojë në rrugën e bukur të këndimit dhe performancës moderne. Krahas shumë artistëve shqiptarë, ai përfaqëson një artist me potencial të madh, i cili do ta çojë këngën shqiptare në Europë me dinjitet.

Momenti i marrjes së kupës ishte tejet emocional për Alisin. Artisti u përlot në skenë, puthi trofeun dhe, si dhuratë për publikun, interpretoi edhe një herë këngën fituese, duke ngrohur zemrat e të pranishmëve dhe duke mbyllur festivalin me një atmosferë të fuqishme emocionale.

Po botoj më poshtë një koment shumë interesant të një ndjekësi në Facebook, Octavio Ortiz. Komentuesi, i cili duket një specialist i performancës, e quan këngën “Nan” një kryevepër dhe krijim fantastik, duke vlerësuar lart edhe gjuhën shqipe. Ai shkruan:

“Shqipëria! Çfarë ke krijuar?! KRYEVEPËR E PASTËR! A mund ta shohim Shqipërinë duke fituar për herë të parë? Vërtet mendoj se po! Kjo këngë bërtet FITUES. E vetmja gjë që mungon është performanca dhe do të doja shumë ta shihja këtë ndryshim. Mbajeni në të njëjtin element dhe mos e ndryshoni gjuhën. Gjuha shqipe është e bukur ashtu siç është.”

Urime dhe suksese, Alis, në rrugën tënde të artit të bukur të muzikës, pse jo edhe si fitues i Eurovision 2026.