“Biblioteka Publike “Marin Barleti” organizoi promovimin e librit studimor të Fabio M. Rocchi, “Zërat femërorë të italofonisë shqiptare”, një vepër që i kushtohet tri autoreve të rëndësishme të diasporës shqiptare: Elvira Dones, Ornela Vorpsi dhe Anilda Ibrahimi.
Kjo paraqitje u zhvillua në Sallën “Koliqi”, pranë Bibliotekës Publike “Marin Barleti”, në një atmosferë akademike dhe kulturore, ku u trajtuan çështje të identitetit letrar, gjuhës, diasporës dhe zërit femëror në letërsinë bashkëkohore italofone me origjinë shqiptare.
Të ftuara për të dhënë mendimet e tyre lidhur me këtë vepër studimore, ishin Prof. as. dr. Alma Hafizi dhe Dr. Brikena Smajlin, të cilat theksuan vlerat shkencore të librit, qasjen krahasuese të autorit dhe rëndësinë e këtij studimi në kontekstin e kritikës letrare dhe studimeve kulturore.
Në aktivitet mori pjesë edhe vetë autori, i cili ndau me të pranishmit motivimet dhe metodologjinë e punës kërkimore. Gjithashtu autori ndau me të pranishmit përjetimet e tij lidhur me qytetin e Shkodrës, veçanërisht në këtë periudhë të kremtimit të festave të fundvitit.
Ky promovim shënon edhe përmbylljen zyrtare të aktiviteteve kulturore të Bibliotekës Publike “Marin Barleti” për vitin 2025, duke konfirmuar rolin e saj si një hapësirë e rëndësishme e dialogut kulturor, studimit dhe promovimit të librit.”
