Rrjeti i muzeve të Shkodrës ka regjistruar rreth 35 mijë vizitorë përgjatë vitit 2025, ku pjesën më të madhe të vizitorëve të huaj e kanë përbërë turistët nga vendet e Europës. Si pjesë e këtij rrjeti, Muzeu Historik i Shkodrës ofron për vizitorët një udhëtim në kohë përmes eksponateve arkeologjike, objekteve etnografike dhe pikturave të mjeshtërve të mëdhenj shkodranë.

Përgjegjësja e Muzeut Historik, Majlinda Laçaj, thekson se gjatë këtij viti muzeu ka funksionuar jo vetëm si hapësirë ekspozimi, por edhe si një qendër edukuese dhe kulturore, falë aktiviteteve të shumta promovuese të zhvilluara për publikun vendas dhe të huaj.

Muzeu Historik mbetet i hapur për vizitorë nga e gjithë Shqipëria dhe më gjerë, duke ofruar një mundësi të vlefshme për të njohur nga afër historinë, trashëgiminë dhe traditat e qytetit të Shkodrës.