Teatri “Migjeni” mirëpriti edicionin e katërt të ceremonisë “10 Më të Mirët e Vitit”, organizuar nga Gazeta “Shkodra Sport” me mbështetjen e Bashkisë Shkodër dhe Shoqatës “Pro Sport”, në prani të sportistëve, trajnerëve, veteranëve dhe sportdashësve.

Gjatë ceremonisë u nderuan veteranë të sportit shkodran dhe personalitete për kontributin e tyre në promovimin e sportit dhe të Shkodrës në arenën ndërkombëtare. Po ashtu, u vlerësuan talentet më të spikatura të vitit 2025 nga disa disiplina sportive.

Momenti kulmor i aktivitetit ishte shpallja e “10 më të mirëve të vitit 2025”, ku u vlerësuan sportistë, trajnerë dhe ekipe që janë dalluar për arritjet e tyre gjatë vitit si Bekim Balaj, Megi Doçi, Franko Burraj, Vllaznia Futsal etj. Viti 2025 ishte i veçantë për kapitenin kuqeblu, Bekim Balaj që u nderua sërish në këtë mbrëmje pas triumfit në “Topi i Artë”.

Ceremonia shërbeu si një vlerësim i rëndësishëm për punën, përkushtimin dhe sukseset e sportistëve, trajnerëve dhe figurave sportive, duke konfirmuar rëndësinë e sportit për qytetin e Shkodrës.