Universiteti i Shkodrës “Luigj Gurakuqi” zhvilloi ceremoninë “UNISHK Student Awards Ceremonia e Arritjeve 2025”, një aktivitet vlerësues kushtuar studentëve që janë shquar gjatë vitit akademik për përkushtimin, angazhimin dhe përfaqësimin dinjitoz të institucionit.
Në këtë ceremoni u nderuan mbi 200 studentë, të cilët u vlerësuan me çertifikata mirënjohjeje në disa kategori kryesore, që përfshijnë kontribute akademike dhe kërkimore, angazhim në aktivitetet e universitetit, pjesëmarrje dhe suksese në konkurse e gara etj.
Fjalën përshëndetëse për të pranishmit e mbajti Rektori i Universitetit të Shkodrës, prof. dr. Tonin Gjuraj, i cili vlerësoi angazhimin e studentëve.
Ceremonia “UNISHK Student Awards” synon të shërbejë si një shtysë motivuese për studentët, duke promovuar ekselencën, pjesëmarrjen aktive dhe përfaqësimin dinjitoz të universitetit në nivel kombëtar dhe ndërkombëtar.
