Vendi i Dëshmisë dhe Kujtesës në Shkodër përmbylli kalendarin vjetor me ekspozitën përkujtimore “Martin Camaj në mërgim”, organizuar me rastin e 100-vjetorit të lindjes së Martin Camajt, një prej figurave më emblematike të letërsisë dhe albanologjisë shqiptare.
Ekspozita i kushtohet veprimtarisë shkencore dhe letrare të Camajt gjatë periudhës së emigrimit politik, pas arratisjes së tij për t’i shpëtuar përndjekjes së regjimit komunist. Pedagoge në Universitetin e Salentos në Itali, Monica Genesin ka patur fatin ta njohë nga afër studiuesin Camaj.
Në kuadër të ekspozitës u zhvillua edhe një bisedë tematike, ku morën pjesë Brikena Smajli, pedagoge e Qendrës së Studimeve Albanologjike pranë Universitetit të Shkodrës “Luigj Gurakuqi”, dhe shkrimtari Xhahid Bushati, të cilët trajtuan figurën e Martin Camajt në dimensionin e tij letrar, shkencor dhe njerëzor.
Librat dhe materialet e ekspozuara janë pjesë e fondit të Bibliotekës Publike “Marin Barleti”, ndërsa ekspozita do të qëndrojë e hapur për publikun deri më 10 janar 2026.
