Nata e parë e Festivalit të Këngës në RTSH nisi me një moment të veçantë dhe tepër emocional. Drejtoresha artistike e edicionit të 64-të, Elhaida Dani, çeli skenën me një performancë që bashkon fuqinë e saj vokale me elegancën skenike që e karakterizon.
Performanca e saj në skenë u kthye në një simbol emocionesh dhe përkushtimi ndaj muzikës shqiptare. Zëri i saj i fuqishëm dhe interpretimi i ndjerë krijuan menjëherë një atmosferë magjike në sallë.
Këngëtarja me famë ndërkombëtare, fituese e Festivalit të 53-të të Këngës në RTSH dhe triumfuese e “The Voice of Italy”, interpretoi me ndjeshmëri këngën “Pyes lotin” të Elsa Liles, fituese e Festivalit të 35-të të Këngës në RTSH, duke rikthyer emocione të forta dhe kujtime të paharrueshme për publikun.
Performanca e Elhaida Danit u prit me duartrokitje të gjata, duke shënuar një hapje dinjitoze dhe plot shpirt për edicionin e 64-të të Festivalit të Këngës.
“Këto duartrokitje nuk më përkasin vetëm mua, por i takojnë kësaj kënge që është kthyer në një ikonë të festivalit, vetë këngëtares Elsa Lila dhe të gjithë artistëve që kanë shkelur skenën e Festivalit të Këngës për 63 vite,” u shpreh Elhaida Dani pas performancës së saj emocionuese.
Drejtoresha artistike e Festivalit të Këngës 64 shtoi se ky edicion nis me shpresën për të lënë pas këngë që do të mbahen mend gjatë nga publiku.
“Sot nis festivali që shpresoj të lërë pas këngë që do të mbeten në kujtesën e publikut,” tha ajo.
Me këtë mesazh mirënjohjeje dhe emocion, Elhaida Dani i dha tonin një festivali që synon të ndërthurë traditën me frymën e re, duke respektuar historinë e gjatë të Festivalit të Këngës në RTSH dhe artistët që e kanë bërë atë një nga ngjarjet më të rëndësishme të muzikës shqiptare.
Emra të njohur të muzikës dhe artit shqiptar janë pjesë e jurisë së Festivalit të 64 të Këngës në RTSH, të cilët kanë në dorë fatet e 28 këngëve pjesëmarrëse.
Juria përbëhet nga:
Belinda Budini – Dekane e Shkencave Humane, Edukimit dhe Arteve Liberale në Universitetin Europian të Tiranës
Valentin Veizi – kompozitor
Anila Basha – gazetare
Zef Çoba – kompozitor
Olen Çezari – violinist
Bleona Qereti – këngëtare
Ramë Lahaj – tenor me famë botërore
Në dy netët konkurruese, juria do të vendosë 10 këngët që do kalojnë në natën finale.
Fituesi i Festivalit do të përcaktohet nga kombinimi 50% vota e jurisë dhe 50% vota e publikut përmes SMS-ve, dhe do të përfaqësojë Shqipërinë në Eurovision.
