Poezia “Të lutem” e autores Rozafa Shpuza është shpallur fituese e edicionit të tetë të Konkursit Mbarëkombëtar të Poezisë “KultStrofa”, në mbrëmjen finale të zhvilluar në ambientin e KultPlus Caffe Gallery në Prishtinë. Ky çmim kurorëzon një rrugëtim të gjatë krijues të autores, e cila ka qenë pjesë e këtij konkursi që nga edicioni i parë.

Në një konkurim të fortë me 151 poezi të aplikuara nga autorë të Kosovës, Shqipërisë, Malit të Zi, Luginës së Preshevës, vendeve të Evropës dhe Kanadasë, poezia e Rozafa Shpuzës u vlerësua nga juria profesionale si krijimi më i spikatur i këtij edicioni. Juria, e përbërë nga Dije Demiri, Liridon Mulaj dhe Arjola Zadrima, e cilësoi “Të lutem” si një poezi me ndjeshmëri të thellë, gjuhë të përzgjedhur dhe forcë emocionale që krijon një komunikim të drejtpërdrejtë me lexuesin.

Pas marrjes së çmimit, Rozafa Shpuza ndau emocione dhe kujtime nga rrugëtimi i saj në “KultStrofa”, duke e cilësuar këtë konkurs si një hapësirë që ka ruajtur autenticitetin e poezisë dhe ka mbështetur zërat krijues ndër vite. Ajo vlerësoi veçanërisht rolin e drejtoreshës së KultPlus, Ardianë Pajaziti, duke e cilësuar si “shpirtin e këtij festivali poetik”.

Edicioni i tetë i “KultStrofa” konfirmoi edhe një herë statusin e tij si një nga ngjarjet më të veçanta të poezisë shqipe, duke sjellë në vëmendje zërat bashkëkohorë të letërsisë dhe duke kulmuar me vlerësimin maksimal për poezinë fituese të Rozafa Shpuzës.

Poezia fituese “Të lutem” e Rozafa Shpuzës

Mos m’kërko me t’thanë ma shumë,
teksa zhbiriloj n’kutinë e vjetër të këpucve
ku imtësinat peshojnë sa nji jetë.
Dije se ndihem n’ faj kur vërej
se tana dashnitë i kam stivue aty,
pa e gjetë kurrë forcën me i ndalë hapat ikacakë.

Mos m’kërko me t’thanë ma shumë,
se e kam provue me i nderë kujtimet
si fotografitë n’odën e errët
ku mjafton nji rreze drite për me i fashitë imazhet, e krejt çka ke dashtë me u përpie prej harresës.

Mos m’kërko me t’thanë ma shumë,
prejse jam fort e pasun me kto relikte
të ngujueme n’kët kuti, këpucët e së cilës trokëllijnë dikutek përkah sekretet e stacioneve skajnore.

Mos m’kërko me t’thanë ma shumë,
se çdo e vërtetë, mbas njifar kohe e hupë fuqinë, si gripi mbas nji gote çaj mali.

Mos m’kërko me t’thanë ma shumë,
se ndoshta krejt çka t’kam thanë
i përngjet nji frymimi që mbet në stetoskop
pa u shpjegue kurrë nga kardiologu.