Vllaznia nuk ka shkuar më shumë se një barazim 1-1 përballë Bylisit në ndeshjen e javës së 16-të të “Abissnet Superiore”, e transmetuar drejtpërdrejt në rrjetin e RTSH. Sfida e zhvilluar në stadiumin “Loro Boriçi” u karakterizua nga dy pjesë të ndryshme loje dhe raste për të dyja skuadrat.

Kuqeblutë ishin më kërkues në pjesën e parë dhe arritën të zhbllokojnë rezultatin falë një goli mjaft të bukur të Kallakut, i cili realizoi nga goditja e dënimit. Avantazhi i shkodranëve zgjati deri në fillimin e fraksionit të dytë, ku ballshiotët përfituan nga një moment përgjumjeje i vendasve dhe barazuan shifrat me golin e Mustaphas.

Në minutat e mbetura, Vllaznia u përpoq të gjente golin e fitores, duke ushtruar presion në zonën kundërshtare, por pa arritur të konkretizojë rastet e krijuara. Takimi u mbyll në barazimin 1-1.

Ky është rezultati i pestë radhazi pa fitore për Vllazninë, pas barazimeve me Partizanin (1-1) dhe Vorën (0-0), si dhe humbjeve ndaj Teutës dhe Elbasanit me rezultatin 0-1. Pas këtij barazimi, kuqeblutë renditen në vendin e katërt me 26 pikë, ndërsa Bylisi mban vendin e tetë me 15 pikë.

Reagimet e teknikëve pas ndeshjes

Pas barazimit 1-1 mes Vllaznisë dhe Bylisit, dy trajnerët, Edi Martini dhe Mirel Josa, dolën në prononcim për mediat duke analizuar ecurinë e ndeshjes dhe momentin që po kalojnë skuadrat e tyre.

Tekniku i Vllaznisë, Edi Martini, u shpreh se vazhdon të mbetet i bindur se ka në dispozicion skuadrën më të mirë të kampionatit, por theksoi se gjendja fizike e lojtarëve dhe mungesa e qetësisë para portës po reflektohen drejtpërdrejt në rezultate. Martini nënvizoi se kjo situatë nuk lidhet me faktorë të jashtëm, por me elementë të brendshëm të lojës dhe përgatitjes së ekipit.

Nga ana tjetër, trajneri i Bylisit, Mirel Josa, e konsideroi të drejtë ndëshkimin me karton të kuq nga arbitri ndaj tij, ndërsa theksoi se diferenca në lojë u bë kryesisht në repartin e mesfushës.

Pas këtij barazimi, të dyja skuadrat do ta përqendrojnë vëmendjen te ndeshjet e radhës në kampionat, ku Vllaznia do të përballet me Tiranën, ndërsa Bylisi do të presë Elbasanin.