Bekim Balaj është shpallur fitues i çmimit prestigjioz “Topi i Artë” 2025, duke u kurorëzuar si futbollisti më i mirë i vitit në Shqipëri. Në ceremoninë e zhvilluar sonte në Teatrin Kombëtar të Operas dhe Baletit, sulmuesi i Vllaznisë triumfoi ndaj kandidatëve Baton Zabërgja, Mario Dajsinani dhe Dejvi Bregu. Ky është Topi i Artë i dytë në karrierën e Balajt, trofe që iu dorëzua nga Presidenti i FSHF-së, Armand Duka, si vlerësim për sezonin e shkëlqyer me kuqeblutë.

Në të njëjtën mbrëmje festive, Megi Doçi u shpall fituese e “Topit të Artë” për vajza 2025, duke konfirmuar statusin e saj si një nga figurat më të spikatura të futbollit të femrave në vend. Sulmuesja e Kombëtares shqiptare dhe e Vllaznisë fitoi trofeun e tretë në karrierë, në konkurrencë me Xhesika Ndoj, Arbiona Bajraktari dhe Xhulia Xhindole. Çmimi iu dorëzua nga anëtarja e Komitetit Ekzekutiv, Anila Basha, ndërsa Doçi ia dedikoi këtë arritje familjes dhe klubit të Vllaznisë.

Mbrëmja e “Topit të Artë” 2025 shënoi një sukses të dyfishtë për Shkodrën dhe Vllazninë, duke vënë në pah talentin dhe kontributin e sportistëve kuqeblu në futbollin shqiptar.