Ambasadori i Turqisë në Shqipëri Tayyar Kagan Atay u prit në një vizitë zyrtare në Shkodër nga rektori i Universitetit “Luigj Gurakuqi”, prof. dr. Tonin Gjuraj. Gjatë kësaj vizite, palët ndanë vizionin e përbashkët për forcimin e bashkëpunimit në fushën akademike dhe shkencore.

Pas takimit, ambasadori dhe rektori morën pjesë në konferencën e shoqëruar me ekspozitë me temë “Koleksioni Fotografik i Pallatit Yıldız dhe Shkodra/Shqipëria në këtë koleksion”, ku u prezantuan 26 fotografi me pamje nga Shkodra, pjesë e këtij thesari unik vizual.

“Turqia dhe Shqipëria janë dy shtete të pavarura, anëtare në NATO dhe bashkëpunëtore të afërta me njëra-tjetrën. Të shërbesh si ambasador në një vend me shumë të përbashkëta është një privilegj. Në vitin 2023 u përjetua një tërmet i fuqishëm në Turqi dhe jam dëshmitar se si populli dhe qeveria shqiptarë u solidarizuan me fatkeqësinë e ndodhur. Bashkëpunimi ynë do të vazhdojë të thellohet përherë e më shumë,” u shpreh mes të tjerash, Tayyar Kagan Atay.

Koleksioni i Fotografive të Pallatit Yıldız, i realizuar nën kujdesin e Sulltan Abdylhamidit II, përbën një trashëgimi vizuale të veçantë dhe të pazëvendësueshme, e cila përfshin 37.178 fotografi të sistemuara në 922 albume. Të realizuara ndërmjet viteve 1862–1917, këto imazhe nuk kufizohen vetëm në territoret e Perandorisë Osmane, por shtrihen në mbi pesëdhjetë shtete të botës, duke sjellë pamje të peizazheve, arkitekturës dhe jetës së përditshme të popujve të ndryshëm.

Pamjet, që datojnë nga fundi i shekullit XIX dhe fillimi i shekullit XX, janë sot dëshmi e gjallë e shumë vlerave kulturore që nuk kanë arritur të mbijetojnë për shkak të luftërave, fatkeqësive natyrore dhe ndikimit të pamëshirshëm të kohës. Pikërisht për këtë rëndësi të veçantë, koleksioni u njoh në vitin 2023 si pjesë e Regjistrit Ndërkombëtar të Kujtesës së Botës pranë UNESCO-s, duke u çertifikuar në nivel ndërkombëtar si një trashëgimi kulturore e Turqisë.

Një pjesë e rëndësishme dhe veçanërisht e dallueshme e këtij koleksioni përbëhet nga fotografitë që i përkasin Shqipërisë, kryesisht qytetit të Shkodrës. Këto kuadrate pasqyrojnë në mënyrë të gjallë rrugicat me kalldrëm, peizazhet natyrore, strukturën arkitekturore dhe jetën e përditshme të qytetit. Pamjet, të cilat për shumë vite kanë qëndruar të ruajtura në arkiva, nuk ndriçojnë vetëm historinë e një qyteti, por njëkohësisht nxjerrin në pah thellësitë e trashëgimisë kulturore të përbashkët mes Turqisë dhe Shqipërisë.

Ky rrugëtim i kujtesës vizuale, që shtrihet nga Pallati Yıldız deri në Shkodër, e fton shikuesin të rizbulojë gjurmët e së kaluarës me këndvështrimin e së tashmes. Përzgjedhja e ekspozuar, duke mundësuar një vështrim shumëdimensional mbi historinë e përbashkët, paraqitet si një simbol i fuqishëm i vazhdimësisë kulturore, i kujtesës vizuale dhe i një të ardhmeje të ndërtuar mbi miqësinë.