Arti i të luajturit, të kënduarit dhe bërjes së lahutës është shpallur zyrtarisht pjesë e trashëgimisë kulturore jomateriale të njerëzimit nga UNESCO, duke u përfshirë në listën e elementeve që kërkojnë mbrojtje të menjëhershme.

Për lahutarët e shquar Pretash Nilaj, Jonuz Delaj dhe Lumturije Nonaj, ky vlerësim është një moment krenarie, por edhe një përgjegjësi e madhe për të mos e lënë këtë traditë të shuhet.

Lahuta, së bashku me Eposin e Kreshnikëve dhe baladat e traditës veriore, ka shërbyer si mjet i transmetimit të virtyteve të trimërisë, qëndresës, besës, nderit dhe mikpritjes. Kjo trashëgimi është ruajtur brez pas brezi në krahinat e Malësisë së Madhe, Dukagjinit, Malësisë së Gjakovës, Rugovës, Drenicës, Plavës dhe Gucisë, duke mbetur një nga shtyllat më të forta të identitetit kulturor shqiptar.