Besimtarët shkodranë kremtuan vigjiljen e festës së Shën Kollit, duke marrë pjesë në procesionin tradicional që u zhvillua në rrugët e qytetit. Me qirinj, lutje dhe këngë liturgjike, qindra qytetarë përcollën atmosferën shpirtërore të kësaj feste të rëndësishme të Kishës Katolike.
Në përfundim të procesionit, mesha u mbajt në kishën e Shën Kollit në Shkodër, e udhëhequr nga famullitari i Beltojës dhe zëdhënësi i Konferencës Ipeshkvore të Shqipërisë, dom Mark Pashkja.
Shën Kolli, figurë e dashur në traditën e krishterë, ka jetuar në shekujt III-IV. Ai nderohet si mbrojtës i fëmijëve, udhëtarëve, marinarëve, të burgosurve dhe të shtypurve, duke mbetur simbol i paqes, bujarisë dhe mëshirës.
