Vora dhe Vllaznia nuk shkuan më shumë se një barazim 0–0 në ndeshjen e javës së 14-të të “Abissnet Superiore”, një përballje e luajtur në “Loro Boriçi” sipas marrëveshjes mes dy klubeve. Sfida ofroi ritëm dhe raste të mira, por mungoi finalizimi, edhe falë ndërhyrjeve vendimtare të portierëve.

Në pjesën e parë, Balaj për Vllazninë dhe Fazlagiç për Vorën patën mundësi të pastra, por pa arritur të shënojnë. E njëjta tablo u përsërit edhe në fraksionin e dytë, me të dy skuadrat që shpërdoruan raste dhe u detyruan të kënaqen me nga një pikë.

Trajneri i Vllaznisë, Edi Martini, u shpreh se ekipi po kalon një periudhë jo të mirë, të shoqëruar me dëmtime dhe mungesa, por theksoi se këto nuk mund të shërbejnë si justifikim. Ai e cilësoi sfidën e ardhshme ndaj Elbasanit si një mundësi për t’u rikthyer te fitorja.

Nga ana tjetër, tekniku i Vorës, Arjan Bellaj, u shpreh i kënaqur me barazimin në një stadium si “Loro Boriçi”, ndërsa vuri në dukje se Vllaznia aktuale nuk është ajo e fazës së parë të kampionatit.

Me këtë rezultat, Vllaznia humbet mundësinë për t’u ngjitur vendin e parë, duke qëndruar në kuotën e 25 pikëve dhe në vend të dytë, një më pak se kryesuesit e Elbasanit. Vora ndodhet në vend të 7-të me 16 pikë.