Në Teatrin “Migjeni” janë rikthyer netët e humorit, tashmë në edicionin e dytë si pjesë e Festivalit Mbarëkombëtar, duke ngjitur në skenë disa nga emrat më të dashur. Mjeshtrat e këtij zhanri si Zyliha Miloti, Besnik Çinari, Drande Xhaj, Sandër Ruçi dhe regjisori Arian Çuliqi ndezën atmosferën me interpretimet e tyre.

Mbrëmja u pasurua edhe nga tingujt e këngëtarëve të qytetit dhe orkestrës nën drejtimin e maestro Ilir Zogës, të cilët shtuan ritmin dhe gjallërinë në skenë.

Për disa netë me radhë, publiku shkodran do të ketë mundësinë të ndjekë artistë të njohur të humorit shqiptar, duke i dhënë ngjyra dhe energji këtij festivali që synon të ruajë dhe promovojë traditën e një zhanri që ka lindur figura të spikatura pikërisht në Shkodër. Festivali Mbarëkombëtar i Humorit do të vijojë deri më datë 8 dhjetor.