Mbrëmjen e sotme në Uashington është hedhur shorti zyrtar i Kupës së Botës 2026, i cili ka përcaktuar përfundimisht grupet dhe kundërshtarët e mundshëm për secilën Kombëtare. Shorti ka sjellë zhvillime të rëndësishme edhe për Shqipërinë, e cila ende duhet të kalojë fazën “play off” për të siguruar kualifikimin.
Sipas shortit, nëse kuqezinjtë arrijnë të sigurojnë biletën për Botërorin, ata do të jenë pjesë e një grupi tepër sfidues. Shqipëria do të ndeshet me Japoninë dhe Tunizinë, ndërsa koka e grupit është një superfuqi europiane: Hollanda.
Përballë një skuadre me traditë si “Tulipanët”, një Japonie dinamike dhe një Tunizie fizike, Shqipëria do të kishte një nga grupet më të forta dhe më interesante të turneut.
Shorti i mbrëmjes së sotme ka ndezur menjëherë pritshmëritë dhe diskutimet, ndërsa mbetet ende për t’u parë nëse kuqezinjtë do të arrijnë të sigurojnë historikisht pjesëmarrjen në Botërorin e parë me 48 ekipe.
