Zemra e brishtë e qenit Teo pushoi së rrahuri pas një muaji luftë për mbijetesë, pas torturës së rëndë që iu shkaktua nga pronari i tij. Megjithëse plagët e jashtme u mjekuan, dëmet e brendshme fizike dhe sidomos ato shpirtërore nuk arritën të shëroheshin. Sipas organizatës “Animals Need Me”, Teo është tërhequr zvarrë nga i zoti, një njeri që e kishte pasur pranë prej 10 vitesh, duke i shkaktuar trauma të pariparueshme.
Prej një jave, Teo kishte ndërprerë plotësisht ushqimin dhe mbahej në jetë vetëm me serume. Pavarësisht përkujdesit maksimal dhe faktit që veterineri Dr. Sokol Malaj e kishte mbajtur falas për një muaj në klinikë, qeni i traumatizuar nuk mundi të rikuperohej.
Organizata i bën thirrje Prokurorisë të rihapë çështjen, pasi tashmë kemi të bëjmë me vdekje të shkaktuar nga dhuna dhe neglizhenca. Ata kërkojnë që drejtësia të veprojë për të parandaluar raste të tilla mizorie ndaj kafshëve.
“Pusho në paqe, Teo. Nuk e meritoje këtë,” përfundon reagimi i “Animals Need Me”, i cili ka ngjallur reagime të shumta dhe kërkesa për drejtësi në rrjetet sociale.




