Në Universitetin “Luigj Gurakuqi” të Shkodrës u zhvillua këtë të enjtë një takim zyrtar mes rektorit Prof. Dr. Tonin Gjuraj dhe ambasadorit të Indisë në Shqipëri, Ravindra Prasad Jaiswal. Në takim, ku ishin të pranishme edhe mediat, u diskutua mbi zgjerimin e ndërkombëtarizimit të programeve studimore dhe mbi mundësitë e bashkëpunimit akademik mes dy vendeve.

Rektori Gjuraj theksoi rëndësinë e krijimit të urave të reja të bashkëpunimit, veçanërisht në fushat e teknologjisë dhe inteligjencës artificiale, të cilat po marrin gjithnjë e më shumë peshë në arsimin e lartë.

Në përfundim të takimit, rektori Gjuraj dhe ambasadori Jaiswal shkëmbyen dhurata simbolike, si shenjë e respektit dhe e gatishmërisë për të thelluar bashkëpunimin në të ardhmen.