Në Bibliotekën Publike “Marin Barleti” u promovua libri më i ri i studiuesit, poetit dhe pedagogut Vehbi Miftari, “Etnoletra shqipe”, një vepër e cila përmbledh hulumtimin e tij shumëvjeçar mbi raportin e letërsisë me etnokulturën dhe identitetin kombëtar. Autorit i janë dashur rreth 9 vite punë kërkimore, për të mbledhur materiale, duke analizuar teori bashkëkohore dhe duke ndërlidhur letërsinë me kujtesën.
Miftari, i njohur për veprat e tij studimore dhe kritike, aktualisht është pjesë e misionit diplomatik të Republikës së Kosovës në Vatikan, çka ia shton dimensionin ndërkulturor dhe institucional punës së tij kërkimore. Libri pritet të shërbejë si referencë e rëndësishme në fushën e albanologjisë dhe kritikës bashkëkohore.
