Letërsia shqiptare po kalon një fazë paradoksale: numri i botimeve rritet çdo vit, ndërsa lexueshmëria nuk ecën me të njëjtin ritëm. Këtë e ngre si shqetësim kryetari i Shoqatës së Shkrimtarëve Shkodër, Zija Vukaj, i cili në një intervistë për RTSH flet hapur për sfidat që e shoqërojnë librin në ditët e sotme.

Vukaj ndalet edhe te fenomeni i letërsisë best seller, e cila në shumë raste nxit një lloj leximi të “lehtë”, jo cilësor, duke e larguar publikun nga letërsia e thellë dhe vlerat e mirëfillta artistike. Një tjetër shqetësim që ai ngre është fakti se energia e krijuesve dhe botuesve përqendrohet pothuajse vetëm në periudhën e Panairit të Librit.

Vukaj shpreh bindjen se libri mbetet një vlerë e pazëvendësueshme, por kërkon më shumë përkushtim, mbështetje dhe bashkëpunim qytetar e institucional për të mbijetuar dhe për t’u zhvilluar.