Që në orët e para të mëngjesit, në Velipojë ka nisur një operacion i gjerë pastrimi pas prurjeve të shumta që kanë sjellë një sasi të konsiderueshme mbetjesh përgjatë bregdetit. Situata e krijuar ka mobilizuar ekipet e shërbimeve publike të Bashkisë Shkodër, të cilat së bashku me tre fadroma të Ndërmarrjeve të Bashkisë janë angazhuar në terren për të pastruar brezin ranor.

Sipas zëvendëskryetarit të Bashkisë Shkodër, Alban Preka, punimet po vijojnë me intensitet dhe do të zgjasin deri në rikthimin e plotë të normalitetit në zonën turistike. Ai theksoi se mbetjet e sjella nga prurjet janë pasojë e ndotjes së lumenjve dhe përrenjve në territor, duke treguar se çdo mbetje e hedhur në mjedis përfundon sërish në natyrë dhe në plazhet tona.

Autoritetet vendore apelojnë për më shumë përgjegjësi dhe ndërgjegjësim qytetar, duke theksuar se mbrojtja e mjedisit nis nga veprimet e përditshme të secilit prej nesh. Bashkia Shkodër ka konfirmuar se puna do të vazhdojë derisa zona të pastrohet plotësisht.