Drama “Morsa” e Luigi Pirandellos, me regji të Edison Lleshit, u ngjit në skenën e Teatrit “Migjeni” duke përmbyllur edicionin e parë të festivalit teatror “Gjegju Fest”. Në qendër të veprës qëndron historia tronditëse e gruas pasionante, e cila përballet me shpërbërjen e lidhjes jashtëmartesore dhe me hakmarrjen e bashkëshortit, Andreas. E shtrënguar mes akuzave dhe dëshpërimit, ajo përjeton një dramë të thellë emocionale që kulmon me një fund tragjik.

Drejtori i teatrit, Gerti Palali, u shpreh se edicion i parë i festivalit, e shndërroi skenën e Teatrit “Migjeni” në një platformë krijimtarie për çështje të rëndësishme shoqërore përmes artit.

“Gjegju Fest” solli një seri shfaqjesh që trajtuan tematika të forta e aktuale duke patur në fokus gruan dhe duke dëshmuar edhe një herë rolin e teatrit si hapësirë e reflektimit dhe ndryshimit.