“Gruaja me sirtarë”, drama e fuqishme sociale e trupës së Teatrit “Aleksandër Moisiu” me regji nga Suela Bako, ishte shfaqja e pestë që u ngjit në skenën e Teatrit “Migjeni” në kuadër të “Gjegju Fest”. E shkruar nga Anisa Markarian, kjo vepër sjell historinë rrëqethëse të Vesës, një gruaje që ka jetuar mes traumave, nënshtrimit dhe frikës, duke mbajtur për vite të tëra një të fshehtë të rëndë që e ka ndjekur në çdo hap.

Regjisorja u shpreh se shfaqja synon të hapë dialog për plagët e heshtura që gratë mbajnë me vete.

Bako shton se arti ka peshë të madhe në shoqëri, sepse përmes historive reale nxjerr në pah të vërteta që shpesh fshihen pas dyerve të mbyllura.

Aktorët Mimoza Marjanaku dhe Romir Zalla sollën interpretime të fuqishme, të mbështetura nga muzika e Kiara Jubës dhe skenografia e kujdesshme që shoqëroi emocionalisht rrëfimin. “Gjegju Fest”, edicioni i parë i këtij festivali teatror, vijon deri më 2 dhjetor, duke e kthyer Shkodrën në një epiqendër të artit skenik me mesazhe sociale.