Një prej momenteve më të veçanta të ndeshjes Vllaznia–Teuta ishte ai gjatë pushimit të pjesëve, kur në fushën e “Loro Boriçit” u rikthye pas plot 10 vitesh ish-trajneri kuqeblu, italiani Baldo Raineri. KF Vllaznia e nderoi atë me titullin “Mirënjohje”, të cilin ia dorëzuan drejtori sportiv Vioresin Sinani dhe mesfushori Ardit Krymi, një prej talenteve të zbuluara pikërisht nga Raineri.
“Pas 10 viteve e ndjeja të domosdoshme të rikthehesha këtu. Shkodra është shtëpia ime e dytë. Takova shumë njerëz me të cilët kam punuar dhe mbi të gjitha Ardit Krymin. Në Shkodër mund të vij edhe në këmbë, sepse ky qytet ka një vend të veçantë në zemrën time,” thekson Baldo Raineri.
Megjithëse ndeshja përfundoi me humbjen 0–1 të Vllaznisë ndaj Teutës, trajneri italian vlerësoi ekipin aktual kuqeblu.
“Ky është një rikthim i bukur. Falënderoj stafin drejtues për skuadrën cilësore që kanë krijuar këtë sezon. E ndjek rregullisht kampionatin shqiptar. Kam pasur oferta nga ekipe të tjera, por Vllaznia është një klub që ka hyrë përgjithmonë në zemrën time,” shprehet tekniku italian, Raineri.
Baldo Raineri erdhi në verën e 2014 në krye të pankinës kuqeblu, i emëruar nga kompania zviceriane “Gea Sport” që në atë kohë kishte marrë në administrim klubin shkodran. Ai u shkarkua nga detyra e tij në mars të vitit pasardhës ku në vend të tij u emërua Luan Zmijani.
