Në Shkodër u zhvillua një nga aktivitetet më madhështore të festave të Nëntorit, “Sofra e Pavarësisë”, një mbrëmje që mblodhi mbi 200 të ftuar nga të gjitha trevat shqiptare në një atmosferë unike festimi dhe bashkimi kombëtar. Në këtë aktivitet morën pjesë Presidentja e Republikës së Kosovës, Vjosa Osmani, dhe Ministrja për Evropën dhe Punët e Jashtme, Elisa Spiropali.

Kryetari i Bashkisë Shkodër, Benet Beci, në përshëndetjen e tij theksoi lidhjen e pandarë mes Shkodrës dhe Kosovës, duke e cilësuar këtë sofër të përbashkët si një tryezë që bashkon vlera, traditë dhe unitet mes shqiptarëve kudo që janë.

Presidentja Vjosa Osmani vlerësoi rolin historik të Shkodrës në momentet kyçe të kombit shqiptar, ndërsa ministrja Elisa Spiropali e përshkroi “Sofrën e Pavarësisë” si një urë simbolike mes Shqipërisë dhe Kosovës.

Mbrëmja u karakterizua nga një atmosferë festive, mesazhe uniteti dhe krenarie kombëtare, e shoqëruar me mikpritjen tradicionale shkodrane: “Mirë se keni ardhur me bukë, kripë e zemër.”