Galeria e Arteve Shkodër hapi dyert për edicionin e 19-të të ekspozitës kombëtare “Salloni i Vjeshtës”, një prej ngjarjeve më të rëndësishme të skenës artistike në vend. Me temën “Midis linjave dhe ngjyrave”, ekspozita mblodhi rreth 70 artistë nga Shqipëria dhe diaspora, duke sjellë një dialog të gjerë mes formave, mediumeve dhe qasjeve të ndryshme bashkëkohore.

Në fjalën e tij, drejtuesi i Galerisë së Arteve, Fatmir Juka theksoi rëndësinë e vazhdimësisë së “Sallonit të Vjeshtës”, i cili prej gati dy dekadash mbetet një platformë e hapur për krijuesit e rinj dhe autorët e afirmuar.

Kuratori i këtij edicioni, arkitekti Olsi Plasa, nënvizoi konceptin vizual të ekspozitës dhe mënyrën si artistët ndërtojnë marrëdhënie mes hapësirës, linjave dhe ngjyrave.

Juria vlerësoi krijimtarinë e autorëve pjesëmarrës, duke ndarë çmimet kryesore të këtij edicioni teksa Çmimi “Vepra më e Mirë” u shpall ajo e artistit Arben Suma, me Çmimin “Autori më i Mirë” u vlerësua Agron Ujkashi dhe me Çmimin e Risisë, Genti Spirollavi. “Salloni i Vjeshtës” do të qëndrojë i hapur për publikun në ambientet e Galerisë së Arteve Shkodër përgjatë gjithë ditëve në vijim.