Biblioteka “Marin Barleti” organizoi edicionin e dytë të Çmimit “Koliqi”, një veprimtari e rëndësishme kulturore që synon të nderojë personalitete të shquara të letërsisë dhe mendimit shqiptar. Në këtë ceremoni u vlerësuan krijues të cilët me veprën dhe kontributin e tyre kanë pasuruar letërsinë dhe jetën kulturore të Shkodrës.
Çmimi “Koliqi” i Karrierës iu akordua shkrimtarit dhe studiuesit Xhahid Bushati, për kontributin e çmuar në letërsi, publicistikë dhe studimet kulturore shqiptare, si dhe për rolin e tij të pazëvendësueshëm në promovimin e trashëgimisë shpirtërore të Shkodrës dhe hapësirës mbarëshqiptare.
Suad Arilla u nderua me Çmimin “Koliqi” për Autorin e Ri, për stilin e tij të veçantë prozaik dhe qasjen filozofike ndaj temave jetësore, duke eksploruar thellësisht konceptet e ekzistencës njerëzore.
Drejtuesja e Bibliotekës “Marin Barleti”, Ledia Dushi, theksoi rëndësinë që mbart ky çmim për një qytet me traditë të thellë letrare si Shkodra, duke e konsideruar atë një nxitje të vlefshme për krijimtarinë e autorëve të rinj dhe një vlerësim të merituar për kontribuesit e kulturës.
Në aktivitet ishin të pranishëm shkrimtarë, poetë, studiues, si edhe aktorë të teatrit “Migjeni”, të cilët vlerësuan përpjekjen e bibliotekës për të mbajtur gjallë figurat e letrave shqipe dhe traditën e qytetit.
