Presidentja e Republikës së Kosovës, Vjosa Osmani, zhvilloi një vizitë zyrtare në Shkodër në kuadër të aktiviteteve për festimet e Nëntorit, ku u prit me nderime dhe një axhendë të ngjeshur takimesh institucionale e kulturore.

Në Bashkinë e Shkodrës, Presidentja Osmani u mirëprit nga kryebashkiaku Benet Beci, ku në një ceremoni solemne iu dorëzua titulli “Mirënjohja e Qytetit”, vlerësim që nderon marrëdhëniet e veçanta mes dy vendeve.

Gjatë fjalës së saj, Presidentja Osmani theksoi rolin historik dhe kulturor të Shkodrës në çdo etapë të bashkëpunimit mbarëshqiptar. Në prononcimin e saj për mediat, Osmani u ndal edhe te situata politike në Kosovë, duke komentuar zhvillimet dhe dinamikat në prag të zgjedhjeve të ardhshme.

Axhenda e Presidentes Osmani vijoi me vizita dhe takime në disa prej qendrave kulturore dhe institucioneve kryesore të qytetit, duke përmbyllur një vizitë me simbolikë të fortë bashkimi mes Shkodrës dhe Kosovës.