Nga Qamil Gjyrezi
Më datë 25 nëntor 2025 u zhvillua në sallën e koncerteve të shkollës ‘Prenkë Jakova’ aktiviteti artistiko-letrar, koncerti vokal-instrumental ‘Nëntori i lirisë’. Krahas rëndësisë së festave të Nëntorit, koncerti ishte edhe një aktivitet, program përkujtimor në formë “homazhi” për të gjithë ata që kanë kontribuar me gjithçka, duke filluar edhe me jetën për muzikën, për të mbërritur deri ku jemi sot. Kështu u shpreh me këtë rast drejtori i shkollës “Prenkë Jakova”, violinisti i mirënjohur Anton Kaftalli. Drejtor artistik i koncertit ishte Anton Kaftalli dhe dirigjent Admir Leka.
Në program kishte autorë shqiptarë dhe të huaj, të luajtur nga orkestra simfonike e shkollës “Prenkë Jakova”, instrumentistë solistë dhe recitues. Orkestra simfonike e shkollës “Prenkë Jakova” është e përbërë nga nxënës dhe mësues të shkollës.
Në programin e këtij koncerti spikatën pjesët muzikore të kompozitorit dhe violinistit të shquar shqiptar Pjetër Gaci. Kompozitori Pjetër Gaci deklaronte: “Kemi muzikën që të mos vdesim”. Prandaj me shumë vend, drejtori Anton Kaftalli deklaroi në fillim të koncertit se ky aktivitet i kushtohet “muzikantëve që kanë kontribuar me gjithçka për muzikën”, si Pjetër Gaci dhe kompozitori i madh Prenkë Jakova.
Në këtë koncert mori pjesë edhe bashkëshortja e kompozitorit Pjetër Gaci, intelektualja Tamara Gaci. Ajo ka një ndikim shumë pozitiv në krijimtarinë e kompozitorit, dhe foli me shumë pasion për muzikën e Pjetër Gacit, duke i dhënë jetë veprës së tij që emocionoi të pranishmit në sallë.
Në program ishte edhe kënga “Për ty Atdhe”, një himn shpirtëror, artistik e patriotik për shqiptarët. Kënga u interpretua me shumë emocion nga bas-baritoni, pedagogu i kantos Lukë Mllugja. Soliste në violinë ishte nxënësja e talentuar Elena Babani, e cila interpretoi me bukuri “Balladën për violinë” të kompozitorit Pjetër Gaci.
Në program ishte gjithashtu edhe ‘Rondo’ nga kompozitori francez Gabriel Fauré, ndërsa koncerti u mbyll me “Vallën simfonike” të kompozitorit Pjetër Gaci. Orkestra simfonike e shkollës “Prenkë Jakova” u drejtua me shumë pasion dhe profesionalizëm nga pedagogu Admir Leka, i cili punon me përkushtim me muzikantët e rinj.
Kori i fëmijëve të shkollës “Prenkë Jakova”, drejtuar nga Lukë Mllugja, interpretoi muzike të kompozitorit të madh Prenkë Jakova, “Fluturo o pëllumb i bardhë”. Mësuesja e letërsisë së kësaj shkolle, Brunilda Gajtani, recitoi me shumë emocion pjesë nga poeti kombëtar Atë Gjergj Fishta, poezisë “Atdheu” dhe “Dëshmorëve të Atdheut”.
Okteti i frymës i pedagogëve të shkollës interpretoi me profesionalizëm “Dy këngë popullore” shkodrane. Këto aktivitete ndikojnë dhe frymëzojnë shumë brezin e ri të muzikantëve për të kompozuar dhe interpretuar më shumë muzikë shqiptare. Në pamje modeste, këto aktivitete janë “gurë prove” për të ardhmen e artistëve të kësaj shkolle mitike arti, që ka një rol të madh në zhvillimin e artit dhe të muzikës jo vetëm në Shkodër, por edhe në nivel mbarëkombëtar.
