Në kuadër të Ditës Ndërkombëtare për Eliminimin e Dhunës ndaj Grave, në Bibliotekën Publike “Marin Barleti” u çel ekspozita artistike “Ngjyra që shërojnë”, e organizuar nga Operatori i Shërbimeve të Kujdesit Shëndetësor Shkodër. Gjatë aktivitetit u përcollën mesazhe të forta sensibilizimi për mbrojtjen e grave dhe forcimin e mekanizmave kundër dhunës.
Në fokus të ekspozitës ishin pikturat e artistes Jozefina Delia, të mbushura me ngjyra të gjalla dhe mesazhe për dashurinë ndaj jetës. Piktorja Ikbal Kalaja ishte e pranishme me veprën “Pritje pa kohë”, që trajton temën e durimit dhe forcës së brendshme.
Atmosfera u pasurua me interpretime poetike nga aktoret Rita Gjeka dhe Merita Smaja, ndërsa fëmijët realizuan punimet e tyre, duke shpalosur pasionin dhe mënyrën se si ata e shohin artin si mjet shërimi. Ekspozita synon të nxisë reflektim dhe ndërgjegjësim, duke e kthyer artin në një thirrje të hapur kundër çdo forme dhune.
