Bashkia Shkodër ka shpallur disa zona të veçanta me përparësi për zhvillimin e ekonomisë malore, duke synuar nxitjen e aktiviteteve ekonomike, industriale dhe turistike në territorin malor të qytetit.

Zonat u miratuan në Këshillin e Ministrave në mbledhjen e sotme. Vendimi i marrë në përputhje dhe me ligjin “Për paketën e maleve” përfshin pesë zona kryesore në njësitë administrative Shalë dhe Guri i Zi.

Në njësinë administrative Shalë, fshati Theth dhe fshati Ndërlysaj përfshihen në këtë iniciativë, duke shtrirë një sipërfaqe të konsiderueshme mbi 2 mijë e 700 hektarë sipas hartës së KRGJSH.

Ndërsa në njësinë administrative Guri i Zi, fshatrat Rragam, Sheldi dhe Mazrek-Shpor përfshihen gjithashtu, duke krijuar mundësi për zhvillimin e ekonomisë malore në një territor total prej më shumë se 1 mijë 700 hektarë.

Shtrirja dhe kufijtë e këtyre zonave janë përcaktuar sipas hartës treguese duke përfshirë pikat e hyrjes dhe daljes.

Aktivitetet që do të zhvillohen në këto zona përfshijnë zhvillimin ekonomik, aktivitetet industriale dhe zhvillimin e turizmit, duke kontribuar në fuqizimin e ekonomisë lokale dhe të sektorëve malorë.

Ky hap pritet të ndikojë pozitivisht në jetën ekonomike të banorëve, duke ofruar mundësi të reja punësimi dhe zhvillim të qëndrueshëm për komunitetet malore të Bashkisë Shkodër.

Reagimi i kryebashkiakut Benet Beci në rrjetet sociale

Një vendim historik për zonat malore të Shkodrës.
Qeveria miratoi sot shpalljen e disa zonave prioritare për zhvillim malor, ku Shkodra zë pjesën kryesore.
Ka qenë një nga kërkesat e mia të vazhdueshme ndaj qeverisë, sepse besoj se zonat tona malore kanë potencial të jashtëzakonshëm dhe duhet të kthehen në zhvillim real, me investime, ekonomi dhe mundësi të reja për njerëzit që jetojnë aty.

🌄 Me përparësi zhvillimi shpallen:
• Theth – 2,286.3 ha
• Nderlysaj – 425.9 ha
• Rragam – 474.5 ha
• Sheldi – 388 ha
• Mazrek–Shpor – 845.8 ha

Në total, mbi 4,400 ha tokë malore të Bashkisë Shkodër hapen për investime turistike, ekonomike dhe agroturizëm.
Jam krenar që kam qenë promotor i këtij procesi dhe që Shkodra merr sot vëmendjen që meriton.