Teatri “Migjeni”, një nga institucionet më të rëndësishme kulturore në vend dhe i vlerësuar me titullin “Nderi i Kombit”, shënon sot 76-vjetorin e krijimit të tij. Më 24 nëntor 1949 u themelua trupa e parë profesioniste, duke e bërë atë teatrin e dytë profesionist në Shqipëri, pas Teatrit Kombëtar.
Krijimi i trupës u realizua në zbatim të vendimit nr. 572 të Këshillit të Ministrave. Regjisori i parë ishte Andre Skanjeti, ndërsa trupa u përbë nga tetë aktorë profesionistë: Çezarina Çiftja, Antonjeta Fishta, Vitore Nino, Adem Kastrati, Ndoc Deda, Ndrek Prela, Paulin Lacaj dhe Tef Krroqi. Ndërsa 12 aktorë të tjerë amatorë, mes tyre Tinka Kurti, Bahrije Mani, Fadile Mustafa dhe Zef Jubani, u bënë pjesë e formacionit të parë të skenës shkodrane.
Përveç aktorëve, në këtë trupë të sapokrijuar kontribuan edhe profesionistë të tjerë të rëndësishëm: inspektori i skenës Çesk Vuksani, sufleri Palok Kurti, skenografi Pjetër Deda, si dhe marangozë, rekuizitjerë e teknikë që ngritën themelet e funksionimit të teatrit.
Premiera e parë u shfaq më 26 maj 1950, duke hapur kapitullin artistik që do ta kthente Teatrin “Migjeni” në një qendër të traditës, kulturës dhe artit profesionist shqiptar.
Sot, 76 vite më vonë, Teatri “Migjeni” mbetet simbol i identitetit kulturor të Shkodrës dhe një institucion që ka formuar dhjetëra aktorë, regjisorë dhe krijues të skenës shqiptare.
