Prokuroria e Rrethit Gjyqësor Shkodër ka vendosur të pezullojë hetimet për helmimin e dy qenve të komunitetit në Rrugën e Gjanë, duke shkaktuar reagim dhe zhgënjim tek aktivistët për mbrojtjen e kafshëve. Sipas njoftimit të organizatës “Animals Need Me”, arsyeja e pezullimit lidhet me faktin se i dyshuari ka mohuar veprimin.
Organizata thekson se, në kushtet kur hetimet ndalen kaq lehtë, roli i mbrojtësve të kafshëve detyrohet të shtrihet nga denoncimi deri te mbledhja e provave dhe dëshmive, ndërsa vetë ata mbeten të pambrojtur përballë rasteve të tilla.
Në njoftim ngrihet shqetësimi se vendi po përfshihet nga një valë helmimesh të kafshëve, ndërsa autorët qoftë individë apo përfaqësues institucionesh rrallë identifikohen, hetohen ose ndëshkohen sipas ligjit.
Sipas tyre, ky rast është tregues i standardit minimal që Shqipëria po zbaton për mirëqenien e kafshëve, duke treguar një mungesë të theksuar të vullnetit për përmirësim dhe për zbatim të drejtësisë në raste abuzimi.
