Në Qendrën Muzeore të Kuklit, aty ku Ndre Mjeda kaloi një pjesë të jetës së tij, u zhvillua edicioni i 20-të i aktivitetit tradicional “Ditët e Mjedës”, në nderim të 159-vjetorit të lindjes së poetit, gjuhëtarit dhe rilindasit të shquar.
Përgjegjësi i Qendrës Muzeore “Ndre Mjeda”, Dom Nikë Ukgjini, thekson se figura të tilla janë sinonim i atdhedashurisë dhe identitetit kombëtar. Studiuesi Frano Kulli u ndal te dimensionet e shumanshme të figurës së Mjedës.
Rektori i Universitetit të Shkodrës, Prof. Dr. Tonin Gjuraj, ndau lajmin për nisjen e një bashkëpunimi të ri me Akademinë e Jezuitëve në Krakov të Polonisë.
Veprimtaria e organizuar nga Bashkia Vau Dejës në bashkëpunim me Qendrën Muzeore “Ndre Mjeda”, Universitetin “Luigj Gurakuqi” dhe DRTK Shkodër u pasurua me interpretime nga krijimtaria e poetit Mjeda si dhe tinguj muzikorë, duke krijuar një atmosferë të veçantë për të pranishmit.
