Shqipëria dhe Kosova kanë mësuar fatin e tyre në shortin e fazës “play off”, ndërsa synohet Botërori 2026. Shorti nuk u tregua bujar me kuqezinjtë që do të përballen fillimisht me Poloninë, që ishte rivali i pozicionuar më mirë në vazon e dytë.
Kombëtarja shqiptare e Futbollit nuk ka një bilanc pozitiv me Poloninë, kundërshtarin e parë që na pret në play-off të Botërorit 2026. Por rezultati i fundit ndaj tyre, është ai që i dha një shtysë Shqipërisë drejt Euro 2024, pasi fitorja 2-0 në Tiranë e blindoi në vendin e parë në grupin kualifikues. Në total janë 15 ndeshje të luajtura kundër Polonisë, me vetëm 2 fitore, 3 barazime dhe 10 ndeshje të humbura përballë kësaj skuadre.
Përfaqësuesja e Silvinjos ishte pafat në short, pasi nëse kalon Poloninë në transfertën e gjysmëfinale, sërish do të luajë në transfertë. Kështu për në finale është rezervuar fituesi i Ukrainë – Suedi.
Në anën tjetër Kosova do përballet me Sllovakinë, e cila pozicionohej e fundit në renditjen e FIFA-s ndër ekipet e tjera të mundshme. Kosova ndërkohë do të luajë me fituesin e Turqi – Rumani, nëse fiton ndaj Sllovakisë. “Dardanët” janë me fat për faktin se do e luanin finalen e madhe në stadiumin “Fadil Vokrri”.
Italia ndërkohë duhet të bëjë fillimisht detyrën ndaj Irlandës së Veriut. Më pas në shtëpi, do të luanin përballë fituesit të çiftit Uells – Bosnjë. Sfida gjysmëfinale është rezervuar më 26 mars. Në anën tjetër, finalet kanë datën 31 mars.
