Në një atmosferë të ngrohtë dhe reflektuese, në Muzeun Historik të Shkodrës u zhvillua këtë të enjte promovimi i librit poetik “Sa herë në rrugë kalon një grua” të autorit Gaqo Apostoli.

Në intervistën për RTSH, Apostoli u shpreh se poezia që i ka dhënë titullin veprës ka një rëndësi të veçantë për të dhe është kthyer edhe në këngë nga Eduard Jubani. Apostoli theksoi se prej kohësh është larguar nga angazhimi në politikë dhe sot e sheh atë me një këndvështrim tjetër.

Kjo veprimtari vjen në kuadër të një kalendari të ngjeshur kulturor që ka Muzeu Historik i Shkodrës.

Ngjarja u shoqërua me interpretime poetike dhe melodi tingujsh, të cilat e përfshinë edhe vetë autorin, duke krijuar një moment intim mes të pranishmëve dhe krijimtarisë së tij. Ky libër shënon vëllimin e tretë poetik të Apostolit, i cili ka një karrierë të pasur në fusha të ndryshme, përfshirë edhe politikën.