Në fotografitë e ekspozitës “Pema hyjnore” të autorit të saj, Gazmend Çitaku, pema e ullirit nuk është thjesht subjekt por shpirt, kujtesë dhe dritë që vazhdon të rritet nën diellin e paqtë të Adriatikut, në tokën ulqinake. Këtë lidhje të veçantë që qyteti bregdetar ka krijuar prej shekujsh ka dashur të paraqesë Çitaku për vizitorët në Galerinë “Oda”.

Ullishta e Ulqinit, më shumë se dymijë-vjeçare, vjen në këtë ekspozitë si një tempull kujtese dhe reflektimi. Çitaku na kujton se, përveç bukurisë, çdo rrënjë mbart një detyrim për njeriun: të ruajmë, të kujdesemi e të mos harrojmë.

Përmes artit të tij, Gazmend Çitaku ngre një apel të heshtur për mbrojtjen e këtyre pemëve të shenjta, “dëshmitare” të një qytetërimi që frymon përbri kalasë së Ulqinit.