Në ditëlindjen e tij, shkrimtari dhe dramaturgu shqiptar Gjergj Jozef Kola ka ndarë lajmin e rëndësishëm të vlerësimit ndërkombëtar që ka marrë në kryeqytetin austriak, Vjenë. Ai është shpallur fitues i çmimit prestigjioz “Dramaturgu i Vitit 2025”, për dramën e tij “Rini e padhunshme”, një vepër që trajton identitetin, plagët e shoqërisë moderne dhe revoltën e brezit të ri.
Juria e Vjenës ka vlerësuar dramën si “një zë origjinal, artistikisht të rafinuar dhe me peshë të jashtëzakonshme”, duke e përzgjedhur mes 200 veprave konkurruese. Çmimi shoqërohet me një shumë prej rreth 20 mijë eurosh, duke e renditur si një nga shpërblimet më të mëdha kulturore të Vjenës.

Ky është rasti i parë që një pendë shqiptare nderohet me këtë çmim në kryeqytetin europian të teatrit, duke i hapur dramës “Rini e padhunshme” dyert e skenave ndërkombëtare.
“Mirënjohës njerëzve që nderojnë artin”, shkruan Kola, duke e cilësuar këtë vlerësim si një hap të rëndësishëm për dramën origjinale shqiptare.
