Studentët artistë të Universitetit “Luigj Gurakuqi” shkëlqyen me shfaqjen “Teatër poetik”, një udhëtim magjepsës përmes vargjeve të Migjenit, Martin Camajt dhe Arshi Pipës. Pas muajsh pune të palodhur, prova, krijim e pasion, ky projekt u kurorëzua me një rezultat që mori duartrokitje të zjarrta dhe emocionoi publikun e pranishëm.
Në skenë u sollën tema si: lashtësia dhe zakoni, peizazhi i trishtë alegorik, plagët sociale, mërgimi, identiteti kulturor dhe ironia filozofike e politike. Të gjitha u interpretuan me finesë, përmes mizanskenave që i dhanë jetë fjalës poetike.
Platforma dhe libreti i këtij projekti artistik u konceptuan nga pedagogu i Departamentit të Letërsisë, Gëzim Puka me përgjegjësin Arben Prendi. Vargjet e këtyre poetëve të vyer të letërsisë shqipe krahas studentëve erdhën të interpretuara edhe nga aktori i Teatrit “Migjeni”, Astrit Fani.
Të pranishëm në këtë mbrëmje artistike ishin Rektori Gjuraj, së bashku me studentë, pedagogë dhe artdashës të shumtë. Ky projekt shënoi një bashkëpunim me vlera ndërmjet Universitetit dhe Teatrit “Migjeni”, duke dëshmuar se arti i fjalës ka ende shumë për të thënë.
